KEDS: Furnizimi me rrymë është stabil, 99,99% e konsumatorëve furnizohen
Erërat e forta shkaktuan ndërprerje rryme në disa zona të Kosovës, por KEDS njofton se gjendja është stabilizuar dhe ankesat po adresohen.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Erërat e forta të ditëve të fundit shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Kosovës, duke sjellë një numër ankesash nga qytetarët në adresë të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike, ndërsa zëdhënësi i kësaj kompanie, Adlum Ramadani, ka deklaruar se aktualisht 99,99 për qind e konsumatorëve në mbarë vendin po furnizohen rregullisht me rrymë.
Ndërprerjet e fundit të energjisë elektrike kanë nxitur reagime dhe ankesa të shumta nga qytetarët, ndërkohë që paralajmërimet për një dimër të vështirë të bëra nga ministrja Artane Rizvanolli kanë prodhuar pakënaqësi publike dhe kanë sjellë zhvillimin e një aksioni nga Lëvizja Revolta pranë zyrave të KEDS-it, ku u shkrua se stodi i dimrit do t'u sjellë vështirësi vetëm qytetarëve ndërsa për qeveritarët do të sjellë miliona.
Zëdhënësi Adlum Ramadani ka treguar se ankesat e pranuara për mungesën e energjisë po adresohen në kohë rekord nga ekipet e terrenit. Sipas Ramadanit, momentin e parë që kompania pranon njoftimin për ndërprerje të furnizimit dhe shfaqet nevoja për intervenim, ekipet shkojnë për kohë të shkurtër në atë zonë dhe kryejnë punimet e nevojshme për rikthimin e energjisë për qytetarët.
Lidhur me përgatitjet për sezonin e ardhshëm dimëror, zëdhënësi Ramadani ka theksuar se KEDS po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse që bëjnë pjesë në sistemin elektroenergjetik të vendit. Ai ka shtuar se janë realizuar investimet e nevojshme dhe mirëmbajtja preventive brenda suazave kohore për ta bërë dimrin sa më të përballueshëm dhe më të qëndrueshëm sa i përket distribucionit, duke shtuar megjithatë se ekzistojnë rrethana të tjera që përcaktojnë rrjedhën e mëtejshme të furnizimit, për të cilat kompania nuk është kompetente të flasë.
Për këtë çështje dhe temat e ndërlidhura me të, Televizioni Dukagjini ka dërguar pyetje zyrtare edhe në drejtim të Korporatës Energjetike të Kosovës si dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, mirëpo deri në publikimin e kronikës nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga këto dy institucione shtetërore.
Pyetje e përgjigje
Sa për qind e konsumatorëve po furnizohen me rrymë?
Sipas KEDS-it, 99,99 për qind e konsumatorëve në mbarë vendin po furnizohen rregullisht me energji elektrike.
Kush ka zhvilluar aksion afër zyrave të KEDS-it?
Lëvizja Revolta ka zhvilluar një aksion afër zyrave të KEDS-it pas deklaratave të ministres Artane Rizvanolli për dimrin e vështirë.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar