Ismaili: Ministria e Shëndetësisë keqpërdori buxhetin për barna
Deputeti i PDK-së akuzon MSH-në gjatë interpelancës me ministrin Arben Vitia.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjatë një interpelance me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, e cila u thirr lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer të gjirit dhe mungesën e barnave onkologjike, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka ngritur akuza ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për keqpërdorim të buxhetit përmes procedurave të prokurimit.
Ismaili deklaroi se ka evidentuar tri raste konkrete ku çmimet e produkteve të prokuruara janë rritur ndjeshëm nga koha e inicimit të procedurave deri te lidhja e kontratave. Sipas tij, në një rast ka pasur një boshllëk prej 224 ditësh dhe çmimi është rritur nga 0.59 cent në 0.89 cent, ndërsa në një rast tjetër me 165 ditë vonesë çmimi është rritur nga 19 cent në 0.59 cent. Ai gjithashtu përmendi një artikull tjetër ku procedura kishte nisur me 7.53 euro dhe kontrata ishte lidhur katër muaj më vonë me 34.92 euro, duke shënuar një rritje prej 364 për qind.
Duke e cilësuar planifikimin si të papranueshëm, deputeti kërkoi nga ministri Vitia që të ndërmarrë menjëherë masa ndaj drejtuesve të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, duke paralajmëruar se heshtja ose neglizhenca ndaj kësaj situate do ta bënte përgjegjës edhe vetë ministrin.