Ismail Dibrani merr pjesë në Samitin Global të Inovacionit dhe Sigurisë në SHBA
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës po merr pjesë në samitin që po mbahet në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, po merr pjesë në Samitin Global të Inovacionit dhe Sigurisë, i cili po mbahet më 22 dhe 23 tetor në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ngjarja ka mbledhur drejtues të institucioneve të zbatimit të ligjit nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar rreth sfidave dhe zhvillimeve në fushën e sigurisë.
Organizimi i samitit bëhet nga Zyra e Sherifit të Palm Beach County në bashkëpunim me kompaninë Axon. Diskutimet gjatë punimeve janë përqendruar te e ardhmja e sigurisë publike, përdorimi i inteligjencës artificiale, teknologjitë e reja, mbrojtja e zyrtarëve dhe sfidat e institucioneve të sigurisë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka vlerësuar se prania në këtë ngjarje përbën «një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira ndërkombëtare, krijimin e partneriteteve të reja dhe njohjen me zgjidhjet inovative». Sipas institucionit, këto iniciativa ndihmojnë në avancimin e standardeve profesionale, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e një sistemi korrektues modern e të sigurt.