Haliti: Ikja e qytetarëve, pasojë e mungesës së progresit shtetëror
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti pas kritikave ndaj komunave.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e zhvillimit ekonomik dhe situatën aktuale në vend. Reagimi i tij vjen pasi kryeministri Albin Kurti prezantoi raportin e rezultateve qeverisëse, ku gjithashtu pati kritika për komunat se nuk po angazhohen mjaftueshëm për t'i mbajtur qytetarët brenda vendit.
Sipas Halitit, raporti i paraqitur nga kreu i ekzekutivit paraqet një vetëlavdërim dhe përmbajtja e tij bie ndesh me rezultatet e deritanishme. Ai theksoi se ekzistojnë hendeka të theksuara në mosrealizimin e programit qeverisës. «Ka natyrisht edhe program qeverisës, mosrealizim të atij, besa ka hendikepe që janë të theksume, edhe që duhet m’i evidentu, qytetari i evidenton më së miri», deklaroi ai, duke shtuar se largimi i qytetarëve lidhet drejtpërdrejt me mungesën e progresit shtetëror.
Kreu i Vitisë vlerësoi se qeverisja lokale dhe ajo qendrore duhet të ndajnë një objektiv të përbashkët për shërbimin ndaj qytetarëve pa dallime. Po ashtu, ai bëri të ditur se pushteti lokal është dëmtuar rëndë nga ana financiare për shkak të kontratës kolektive.



