Pse Holanda e bllokon Serbinë në negociatat e BE-së?
Pesë shtete të BE-së, përfshirë Holandën, kundërshtojnë hapjen e Grupit 3, me shqetësime mbi sundimin e ligjit dhe qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë.
HAGA — Qeveria holandeze i ka dalë zyrtarisht kundër hapjes së Grupit 3 në negociatat e pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, për shkak të shqetësimeve në fushën e sundimit të ligjit. Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme holandeze tha se hapja e këtij grupi në këtë kohë nuk do të bazohej në meritë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Qëndrimi holandez mbështetet në përfundimet e Këshillit Evropian nga viti 2024, sipas të cilave ishte thelbësore që Serbia të bënte përparim të konsiderueshëm të mëtejshëm në fushën e sundimit të ligjit.
Holanda nuk është e vetme në këtë qëndrim. Sipas burimeve diplomatike, të paktën pesë shtete anëtare të BE-së e kundërshtojnë hapjen e Grupit 3. Përveç Holandës, e cila e ka konfirmuar zyrtarisht qëndrimin, vendet e tjera përfshijnë tri shtetet baltike dhe Suedinë.
Arsyet për kundërshtimin lidhen kryesisht me gjendjen e sundimit të ligjit. Për disa prej këtyre vendeve, siç u tha për REL, shqetësimet shkojnë më gjerë: fakti që Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës nuk mund të injorohet.
Për Serbinë, kjo do të thotë se rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet e bllokuar përderisa shqetësimet për sundimin e ligjit dhe qëndrimin ndaj Rusisë nuk adresohen.
Burim: Zëri
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.