Haziri: Mosvotimi i Ligjit për Specialen, qëndrim konsistent i LDK-së
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se mosvotimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte qëndrim konsistent politik dhe nuk lidhet me pendesë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij nuk është penduar që nuk e votoi Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se ky vendim ishte në përputhje me qëndrimin politik të LDK-së për drejtësinë. I ftuar në emisionin «Debat Plus», Haziri u shpreh se ky veprim nuk lidhet me kalkulime politike.
«Nuk ka të bëjë me pishman, as s’ka të bëjë me veprim tjetër politik. Ka të bëjë me qëndrim konsistent politik, të cilin ia kemi bërë me dije grupeve politike e edhe publikut në Kosovë», deklaroi Haziri, duke shtuar se nuk duhej kërkuar më shumë nga LDK-ja pas sfidave të periudhës së pasluftës dhe kërkesave për drejtësi për të gjithë.
Ai theksoi se LDK-ja beson në drejtësi të barabartë dhe se krijimi i Dhomave të Specializuara nuk i ka përmbushur pritjet për vendosjen e drejtësisë. Sipas tij, çështjet dhe dosjet e trajtuara nga ky institucion kanë kaluar më herët nëpër zyra të ndryshme. Haziri po ashtu foli për përmbajtjen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vlerësuar se në pjesën e parë të leximit të vendimit u vu në pah lufta ndaj vijës politike të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ndërsa më pas u përmend edhe LDK-ja dhe institucionalizimi i vendit.