Çfarë dihet për lirim me kusht të Hashim Thaçit?
Ish-presidenti ofron 50 mijë euro garanci financiare për lirimin e tij
Ditë më parë u bë e ditur se mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kërkuar nga Gjykata Speciale në Hagë lirimin e tij me kusht, duke ofruar garanci financiare 50 mijë euro, gjersa lidhur me këtë janë deklaruar edhe nga Gjykata Speciale. Sipas burimit, ish-presidenti Thaçi nuk paraqet rrezik të arratisjes dhe ka ofruar garancinë financiare për të siguruar lirimin e tij. Kërkesa është parashtruar më 6 korrik të këtij viti dhe brenda një afati të arsyeshëm trupi gjykues duhet të kthej një përgjigje.
Në kërkesën e mbrojtjes thuhet se Thaçi është i gatshëm t'i pranojë kushtet e ngjashme me ato të vendosura për bashkë të akuzuarve të tij, të cilat janë cilësuar si "një kornizë e provuar dhe e përshtatshme për lirimin e përkohshëm", ose çdo kushti tjetër që Gjyqtari i Vetëm i Gjykimit (GVG) e konsideron të përshtatshëm. Kushtet specifike publikuara në kërkesë përfshijnë: a) Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, përveç nëse autorizohet nga një trup gjykues kompetent i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK); b) do t'i dorëzojë Regjistrarit pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi, përfshirë vizat dhe çdo dokument identifikimi që mund të përdoret për udhëtim, me detyrim që shtrihet edhe mbi çdo pasapoertë ose dokument të ri që mund t'i lëshohet pas nxjerrjes së vendimit; c) do të japë adresën ku do të banojë në Kosovë gjatë gjithë procedurës dhe do të kërkojë leje nga DhSK-ja përpara çdo ndryshimi të vendbanimit; d) do të depozitojë pranë Regjistrarit garanci financiare 50.000 euro në llogarinë e Regjistrit si kusht paraprak; e) do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me bashkë të akuzuarit Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi; f) do të përmbahet nga çdo kontakt me çdo person për të cilin e di se është dëshmitar në këtë ose në ndonjë çështje tjetër para DhSK-së; g) do të përmbahet nga çdo kontakt me personë që në Aktakuzën e Ndryshuar të Konfirmuar pretendohet se kanë marrë pjesë ose ndihmuar në sjelljen penguese; h) nuk do të diskutojë përmbajtjen e çështjes me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit mbrojtës dhe anëtarëve të ngushtë të familjes, duke u detyruar t'i informojë secilin se ai nënshtrohet ndalimi nga DhSK-ja; i) do të përmbahet nga bërja e çdo deklarate publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në media dhe/ose rrjetet sociale lidhur me DhSK-në, Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe/ose çdo procedurë; j) do të paraqitet për verifikim javor pranë Policisë së Kosovës sipas procedurave të Regjistrarit; k) do të dorëzohet në paraburgimin e DhSK-së nëse urdhërohet dhe do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore; l) do ta njoftojë Regjistrarin për adresën në Shtetin Pritës për seancat gjyqësore dhe do t'u përmbahet çdo kufizimi lëvizjeje atje; m) do ta respektojë klasifikimin konfidencial të vendimit dhe nuk do ta publikojë as diskutojë përmbajtjen me asnjë person, përfshirë të akuzuaret dhe familjen e tyre, me përjashtim të avokatit dhe ekipit mbrojtës, derisa të bëhet publik me urdhër të GVG-së; n) do t'i përmbahet çdo vendim, urdhër ose udhëzim tjetër të Gjyqtarit të Vetëm dhe të Regjistrarit. Çdo mosparaqitje do të sjellë konfiskimin e garancisë dhe lëshimin e menjëhershëm të një urdhër-arresti.
Nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, zëdhënësi i Gjykates Speciale, Michael Doyle, ka deklaruar për Radio Dukagjinin se: "Trupi Gjykues do të nxjerrë një vendim lidhur me këtë kërkesë në kohën e duhur." Përveç garancisë prej 50 mijë eurosh, Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, do të dorëzojë pasaportën dhe dokumentet e udhëtimit, do të përmbahet nga deklaratat publike dhe nuk do të diskutojë çështjen me askënd përveç ekipit mbrojtës.
Burim: Gazeta Express, https://www.gazetaexpress.com/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.