Hapet thirrja për kuponët e kopshteve në 18 komuna nga Ministria e Arsimit
Ministria e Arsimit ka hapur thirrjen për kuponët e kopshteve për familjet në asistencë sociale me fëmijë 3-6 vjeç.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur thirrjen për aplikim në Programin e kuponëve për kopshte, e cila përfshin 18 komuna dhe synon familjet përfituese të Skemës së asistencës sociale që kanë fëmijë të moshës tre deri në gjashtë vjeç. Sipas njoftimit, programi mundëson vijimin e edukimit në kopshte private dhe publiko-private të licencuara pa asnjë kosto për prindërit, ndërsa mbështetja mbulon të gjithë ciklin e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe përfshin edhe ndihmë për transportin e fëmijëve që banojnë larg institucionit të përzgjedhur.
Për të përfituar, familja duhet të jetë pjesë e skemës sociale, kurse fëmija duhet të plotësojë kushtin e moshës dhe të ketë vendbanimin në komunën ku aplikon. Aplikimi lejohet të bëhet edhe nga mosha dy vjeç e gjashtë muaj deri në pesë vjeç e gjashtë muaj, me kusht që fëmija ta nisë kopshtin në moshën trevjeçare dhe ta mbyllë atë kur të fillojë arsimin e detyrueshëm parafillor apo fillor në një institucion publik.
«Pjesëmarrja në Programin e Kuponëve nuk ndikon në përfitimet nga Skema e Asistencës Sociale. Familjet që tashmë përfitojnë nga programi dhe familjet që kanë përfituar nga ky program gjatë vitit shkollor 2025/26, fëmijët e të cilëve tani i takojnë grupmoshës 5-6 vjeç dhe që nuk kanë filluar edukimin e detyrueshëm parafillor në një institucion publik arsimor, duhet të riaplikojnë për vazhdimin e mbështetjes», theksohet në njoftim. Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është caktuar deri më 10 dhjetor.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar