Hamza mohon bisedat me Thaçin e Veselin për rikthim në politikë
Kryetari i PDK-së thotë se procesi gjyqësor duhet të jetë lirues për akuzuarit
PRISHTINË — Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk ka diskutuar me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për rikthimin e tyre eventual në politikë pas përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë. Hamza tha se gjatë vizitave të tij te Thaçi dhe Veseli nuk kanë biseduar për angazhimin e tyre të ardhshëm politik.
Sipas Hamzës, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Hamza ka shprehur bindjen e tij se përfundimi i këtij procesi duhet të jetë lirues për të akuzuarit, duke thënë se, sipas tij, faktet janë në favor të tyre. “Verdikti do të duhej të ishte lirues. Të gjitha faktet flasin në këtë drejtim. Unë besoj në drejtësi…”
Kreu i PDK-së foli edhe për procesin e brendshëm zgjedhor në partinë që drejton, duke thënë se synimi është që zgjedhjet në të gjitha strukturat të përfundojnë në kohën më të përshtatshme. “Procesi ka filluar, ideale do të ishte brenda këtij vitit, por optimale për të pasur zgjedhje të mirëfillta në të gjitha strukturat (e PDK-se) është tre mujori i parë i vitit të ardhshëm…”
Hamza tha se, sipas tij, nuk është e ditur nëse do të vazhdojnë të merren më me politikë, pasi do të përfundohet ky proces. Procesi gjyqësor pritet të shpallet deri në mesin e shtatorit.
Burim: Telegrafi, Telegrafi
— Redaksia ZHURMA