Çfarë i tha Gola Këshillit të Evropës për Serbinë dhe Banjskën?

Pse i tha ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës KiE-së se Serbia mbron kriminelë lufte?

Çfarë i tha Gola Këshillit të Evropës për Serbinë dhe Banjskën?
Foto: Wikimedia Commons

STRASBURGË — Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka deklaruar se prania e strukturave paralele dhe e grupeve kriminale në veri të Kosovës, të mbështetura nga Serbia, dëshmon se Beogradi nuk po bën përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Gola tha se Serbia vazhdon të mbrojë individë me përgjegjësi kriminale, përfshirë kriminelë lufte dhe persona që paraqesin kërcënim për sigurinë, duke vepruar kështu në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është themeluar Këshilli i Evropës.

"Nëse qëllimi ynë është të ndihmojmë në demokratizimin e Serbisë, atëherë nuk duhet t'i fshehim këto probleme me një gjuhë të zbutur diplomatike. Nuk ka rëndësi sa e rehatshme është e vërteta, por si përballemi me të vërtetën e pakëndshme", tha Gola. Ai i përgëzoi raportuesin për raportin, duke shprehur besimin se ky përmban shumë rekomandime të rëndësishme, të cilat, nëse adresohen, do të ndihmonin Serbinë të demokratizohet. Përtej vëmendjes së pamjaftueshme që raporti i kushton shkeljeve afatgjata të të drejtave të pakicave, veçanërisht komunitetit shqiptar në Serbi, Gola përqendroi vëmendjen mbi sulmin e Banjskës.

Ai kritikoi raportin për Serbinë, duke thënë se gjuha e përdorur nuk e pasqyron në mënyrë adekuate natyrën e këtij sulmi, duke e përshkruar atë thjesht si një përplasje ndërmjet policisë dhe personave të armatosur serbë. Në Rezolutën e tij për Banjskën, Parlamenti Evropian e përshkroi sulmin si: "Një grup paramilitarësh serbë, të armatosur rëndë, kreu një sulm terrorist në veri të Kosovës." Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e dënoi atë si një "sulm terrorist të tmerrshëm dhe frikacak kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës".

Gola citoi edhe se operacioni u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, i njohur gjerësisht si një bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Vuçiq, i cili mori publikisht përgjegjësinë për sulmin që i mori jetën rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke lënë pas tre fëmijë të vegjël pa babanë e tyre. Sipas tij, ky sulm zbulon disa të vërteta të pakëndshme për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi.

"SË PARI, Serbia ende nuk e ka dëshmuar gatishmërinë e saj për të ndërtuar marrëdhënie normale, veçanërisht me Kosovën. SË DYTI, në vend që të sigurojë llogaridhënie, ajo vazhdon t'i mbrojë përgjegjësit, siç dëshmohet nga fakti se Radoiçiq vazhdon të jetojë i lirë dhe nën mbrojtje në Serbi. Në këtë mënyrë, Serbia është shndërruar në shkelëse të vetë vlerave që Këshilli i Evropës është themeluar për t'i mbrojtur dhe promovuar", tha Gola.

Ai përfundoi me theksin se "prova e vërtetë e një shteti nuk është mënyra se si i përqafon të vërtatat e rehatshme, por mënyra se si përballet me të vërtatat e pakëndshme. Prandaj, nëse synimi ynë është ta ndihmojmë Serbinë të demokratizohet, nuk duhet t'i zbusim apo t'i fshehim faktet e pakëndshme përmes një gjuhe neutralizuese. Dhe Banjska është një e vërtetë e tillë me të cilën Serbia, herët a vonë, do të duhet të përballet."

Burim: Lajmi.net
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Çfarë e bllokon katalogun e teksteve për 2026/2027?
  2. KiE e zbut sulmin e Banjskës në 'përleshje', Kosova e Britania reagojnë
  3. Çfarë solli edicioni i parë i Festivalit Poetik 'Muzat e Vreshtave' në Rahovec?
  4. Beogradi zyrtar e quan 'patriot' organizatorin e sulmit të Banjskës

Vazhdo leximin