Gjyqi në Spanjë për vrasjen e shqiptarit Artjol Ramaj për pesë euro
Autoritetet spanjolle kërkojnë 22 vjet e 5 muaj burg për 52-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Artjol Ramajt pas një konflikti.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Autoritetet spanjolle kanë mbyllur fazën paraprake dhe kanë kaluar çështjen në gjykim me juri, ndërsa prokuroria kërkon 22 vjet e 5 muaj burg për të pandehurin. Ngjarja daton në natën e 2 marsit 2023, kur i riu shqiptar Artjol Ramaj u zhduk pa lënë gjurmë nga banesa në zonën e Riudarenes në Girona, ku bashkëjetonte me një 52-vjeçar të njohur me nofkën «El Seco» teksa ruanin një plantacion kanabisi.
Sipas hetimeve të gjykatësit dhe prokurorisë, konflikti dyshohet të ketë nisur për një shumë prej 5 eurosh, ndërsa sulmi ndaj viktimës ndodhi ndërsa ishte shtrirë në shtrat. Më 17 prill 2023, mbetjet kockore të viktimës u zbuluan në një zonë të pyllëzuar pranë kompleksit rezidencial Can Fornaca nga një person që shëtiste qenin. Hetuesit gjetën gjurmë gjaku në dhomë, në furgon dhe në lavatriçe, si dhe sende të tjera me njolla gjaku pranë eshtrave.
I akuzuari mohon autorësinë e krimit, ndërsa avokatja e tij pretendon se akuza mbështetet në prova rrethanore dhe se bashkëjetesa apo prania e gjakut nuk vërtetojnë fajësinë. Çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata me juri në Spanjë pas hetimeve disavjeçare të policisë katalanase Mossos d’Esquadra.