40-vjeçari shqiptar në gjendje kritike në Maltë pasi gëlltiti drogë
Një shtetas shqiptar ndodhet në spital në gjendje kritike pasi gëlltiti lëndë narkotike për t'i shpëtuar policisë në Maltë.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Një 40-vjeçar shqiptar ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin Mater Dei, pasi gëlltiti një substancë që dyshohet të jetë drogë gjatë një tentative për t'i shpëtuar arrestimit. Ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 11:00 në zonën e Gjirit të Shën Palit, në rrugën Triq il-Halel, pasi policia ndaloi një automjet sepse drejtuesi dhe pasagjeri nuk kishin vendosur rripat e sigurimit.
Gjatë kontrollit në automjet, efektivët gjetën te pasagjeri një dorezë metalike për grusht dhe një substancë të dyshuar si drogë, ndërsa kur tentuan ta arrestonin, ai bëri rezistencë dhe gëlltiti lëndën narkotike. Drejtuesi i mjetit, një 42-vjeçar shqiptar, u kap pasi u përpoq të largohej nga vendngjarja dhe ndodhet në paraburgim. Gjatë ndërhyrjes, një efektive policie pësoi lëndime të lehta, ndërsa në kontroll u sekuestruan gjithashtu dy thika dhe një sasi e konsiderueshme e një substance të dyshuar si kokainë. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë.