Gjykata e Tiranës shqyrton sot masat e sigurisë për protestuesit
Në Gjykatën e Tiranës kanë nisur seancat për caktimin e masave të sigurisë ndaj personave të arrestuar pas protestës.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
TIRANË — Kanë nisur seancat gjyqësore në Gjykatën e Tiranës për caktimin e masave të sigurisë ndaj protestuesve të arrestuar pas protestës së zhvilluar në kryeqytet, e cila nisi pranë Ministrisë së Arsimit me përplasje mes studentëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit. Për arsye sigurie, seancat ndaj tyre do të zhvillohen veçmas nga njëra-tjetra. Gjatë protestës, protestuesit hodhën gurë në drejtim të godinës dhe të policisë, shkulën gardhet metalike, ndërsa dëme materiale pësuan edhe disa biznese private. Në gjykatë për masat e sigurisë dolën 16 nga të arrestuarit e ditës së parë të protestës studentore, mes të cilëve u përmendën emrat e Kastriot Vatës, Florian Babës, Ali Bruçit, Genc Ibrahimit, Ernest Kapos, Iljaz Sulajve, Besnik Kalasë, Donik Vatgjonit, Erand Zenunllarit, Hamza Bushit, Olsi Voklit, Xhesion Petokut, Klevi Metajt, Berim Gjokës, Kalosh Hysbarjamit dhe Korado Aliajt, të cilët akuzohen për vepra penale përfshirë goditjen për shkak të detyrës, prishjen e rendit dhe qetësisë publike, shkeljen e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse, vjedhjen e bankave dhe arkave të kursimit, shkatërrimin e pronës, shkatërrimin e pronës me zjarr, kundërshtimin e punonjësit të rendit publik, si dhe prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta. Ndërkohë, familjarët e të rinjve të arrestuar presin në gjykatë për fatin e fëmijëve të tyre, ndërsa mes të arrestuarve ka edhe të mitur.