Pse gjuha e urrejtjes në sportin e Maqedonisë së Veriut po shtrihet jashtë stadiumeve?
Federatat sportive gjobisin klube për provokime nacionaliste, por institucionet nuk japin të dhëna statistikore mbi sanksionet.
SHKUP — Gjuha e urrejtjes, racizmi dhe provokimet nacionaliste në sportin e Maqedonisë së Veriut po përkeqësohen, me problemin që shtrihet jashtë stadiumeve edhe në mediat sociale, duke arritur te një audiencë më e gjerë dhe duke minuar bashkëjetesën. Ky fenomen dëmton imazhin e sportit si hapësirë për lojë të ndershme dhe respekt të ndërsjellë.
Klubi i futbollit "Bashkimi" nga Kumanova, për CIVIL Media, thekson se është kundër çdo fyerjeje nacionaliste, raciste ose fetare, dhe nuk është ndëshkuar kurrë për gjuhë të urrejtjes. Tifozët "Iliri" janë shembull i tifozerisë pa urrejtje, dhe klubi krenohet me kolektivin multikultural: "Në klubin tonë luajnë shqiptarë, maqedonas dhe të huaj, myslimanë, të krishterë e ateistë. Ne jemi një familje që i kultivon këto vlera."
Prokuroria Themelore Publike (PThP) shpjegon se vepron kur gjuha e urrejtjes përmban elemente të veprave penale, siç është nxitja e urrejtjes, përçarjes dhe jotolerancës. Identifikimi i autorëve gjatë ndeshjeve është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas së cilës prokuroria i procedon rastet e denoncuara. Njëkohësisht, Prokuroria Publike merr pjesë në organet ndërdikasteriale dhe mbështet iniciativa për parandalimin e gjuhës së urrejtjes.
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se punon në kontinuitet për të zbuluar, parandaluar dhe sanksionuar të gjitha format e gjuhës së urrejtjes. Punonjësit e policisë marrin masa dhe ngrihen denoncime tek autoritetet, por deri në publikimin e tekstit nuk morëm përgjigje nga MPB dhe PThP për pyetjen shtesë, nëse kanë të dhëna statistikore mbi numrin e personave të sanksionuar.
Federatat sportive kanë ndërmarrë veprime të rrepta: KF "Shkëndija" u gjobit me 105.000 euro dhe u përjashtua nga Kupa e Maqedonisë për sezonin 2026/27 për thirrje nacionaliste, shfaqjen e banderolës naziste, për të cilën tashmë ishte gjobitur nga UEFA, dhe fishkëllimin e himnit kombëtar. KF "Vardar" u gjobit me 15.000 euro për thirrje ofenduese nga tifozët, ndërsa KF "Sileks" me 5.000 euro për përdorimin e mjeteve piroteknike. Këto gjoba janë mesazh i qartë se gjuha e urrejtjes nuk do të tolerohet nga autoritetet sportive.
Edhe në hendboll, Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka hapur procedurë pas pretendimeve për ofendime raciste nga tribunat gjatë një ndeshjeje evropiane në Ohër midis KHQ "Ohri" dhe "Tatabanya", ku shënjestër ishte një hendbollist francez nga skuadra hungareze. Ky hetim konfirmon se gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi mbeten sfidë për sportin edhe jashtë fushave të futbollit.
Në këtë kontekst, një shembull pozitiv vjen nga Kumanova: futbollisti i ri David Dokmanoviq shënoi një gol dhe ia dedikoi bashkëmoshtarit Agan Asani, i cili humbi jetën tragjikisht, duke treguar se fushat e sportit mund të jenë hapësirë solidariteti, miqësie dhe respekti për diversitetin. Dhe dërgon mesazh se sporti mund të bashkojë komunitete të ndryshme përmes solidaritetit.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.