Gjermania nis skemën e re të pensionit privat nga janari 2027
Nga 1 janari 2027, Gjermania do të zëvendësojë sistemin Riester me modelin Altersvorsorgedepot, duke ofruar subvencione shtetërore dhe kushte të reja për kursim.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjermania do të zbatojë nga 1 janari 2027 një skemë të re të pensionit privat, e cila synon të zëvendësojë sistemin e deritanishëm Riester. Modeli i ri, i quajtur Altersvorsorgedepot, do t'u mundësojë qytetarëve të kursejnë përmes investimeve në fonde indeksuese ETF, fonde aksionesh dhe obligacione, duke përfituar mbështetje financiare nga shteti. Për çdo euro të kursyer deri në 360 euro në vit, shteti do të kontribuojë me 50 cent, ndërsa për shumën nga 360 deri në 1.800 euro në vit do të shtojë 25 cent për çdo euro, duke arritur një subvencion bazë deri në 540 euro në vit.
Përveç punëmarrësve, mbështetjen do të mund ta marrin edhe të vetëpunësuarit me të ardhura nga veprimtari tregtare ose profesione të lira, me kusht që të kenë dorëzuar deklaratën e tatimit. Për familjet parashikohet mbështetje shtesë deri në 300 euro në vit për çdo fëmijë, me kusht që prindi të kontribuojë të paktën 25 euro në muaj. Ndërkohë, kush lidh kontratë para ditëlindjes së 25-të do të marrë një herë edhe 200 euro bonus, ndërsa kontratat e vjetra Riester të lidhura para 1 janarit 2027 mbeten me mbrojtje të të drejtave ekzistuese.
Megjithatë, fondi standard i organizuar nga shteti nuk do të jetë i gatshëm në ditën e nisjes së reformës, pasi Ministria Federale e Financave po përgatit rregulloren përkatëse dhe fondi mund të jetë gati gjatë verës së vitit 2027. Shoqata e Qendrave të Konsumatorëve në Gjermani ka kërkuar përshpejtimin e krijimit të këtij fondi standard për transparencë dhe kosto më të ulëta. Ndërkaq, sipas Ministrisë, personat që në fillim të fazës së pagesës lakmojnë të banojnë jashtë një shteti të BE-së ose Zonës Ekonomike Evropiane do t'u duhet të kthejnë shtesat shtetërore dhe lehtësimet tatimore, çka prek edhe qytetarët që planifikojnë të jetojnë në Kosovë pas pensionimit.


