Gashi: Koha që LDK ta qartësojë rrugën e saj pas zhvillimeve politike
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se bashkëpunimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së shënon fundin e tranzicionit dhe fillimin e një cikli të ri.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë një deklaratë publike pas bashkëpunimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, një zhvillim ky që çoi në zgjedhjen e presidentes së re në vend. Sipas tij, ky proces shënon fundin e një periudhe tranzicioni dhe njëkohësisht hapjen e një cikli të ri politik në Kosovë, ndërsa ka shtuar se muajt në vijim do të provojnë këtë kthesë politike.
Gashi ka theksuar se tashmë ka ardhur koha që bashkëpunimi politik të mos jetë më arsye për demonizimin e kundërshtarëve. Në shkrimin e tij të publikuar në rrjetin social “Facebook”, ai ka vlerësuar se pas bashkëpunimit të fundit formal ndërmjet LVV-së dhe PDK-së, rëndësi parësore ka se për çfarë bashkëpunohet dhe çfarë i sjell kjo vendit. Deputeti ka shtuar se qeverisja e vendit duhet të matet me rezultate konkrete dhe jo përmes arsyetimeve apo fajësimeve të së kaluarës, pasi qytetarët sipas tij presin zhvillim, siguri dhe shpresë për të ardhmen.
Duke u ndalur te subjekti i tij politik, Gashi ka deklaruar se kjo është koha e duhur që LDK-ja ta përcaktojë qartë rrugën e saj të ardhshme. Ai ka përmendur nevojën për të vepruar pa vija të kuqe të përhershme por me parime të qarta, duke shtuar se e kaluara nuk duhet harruar, por gjithashtu e ardhmja nuk duhet të mbahet peng e saj. Sipas tij, këtu nis një rilindje politike e karakterizuar nga më shumë besim, bashkim dhe një politikë moderne që përfaqëson qytetarët.