FSK dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin në doktrinë e inovacion
Delegacioni nga Shqipëria zhvilloi takime me drejtuesit e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh. Një delegacion nga Instituti i Kërkimeve Shkencore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga gjeneralbrigade Fatmir Neziraj, ka vizituar Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së.
Delegacioni është pritur nga komandanti i kësaj komande, gjeneralbrigade Jeton Dreshaj, së bashku me përfaqësues të Qendrës së Doktrinës. Bisedimet u përqendruan te mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve, me theks te shkëmbimi i përvojave, hartimi i koncepteve të reja ushtarake dhe avancimi i inovacionit në fushën e mbrojtjes.
Gjatë qëndrimit të tyre, përfaqësuesit nga Shqipëria bënë homazhe dhe vunë kurora lulesh në Kompleksin Përkujtimor «Adem Jashari» në Prekaz, si dhe në varrezat e dëshmorëve në Koshare.