sport sport

Franca mposht Suedinë 3-0 në 1/16-at e Botërorit

Sa peshoi dyshja e Mbappes në eliminimin e Suedisë nga Botërori?

Franca mposht Suedinë 3-0 në 1/16-at e Botërorit
Foto: Balkan Photos / Wikimedia Commons

NEW JERSEY — Franca e nisi me ritëm të lartë sfidën e 1/16-ave të Botërorit në “MetLife Stadium”, por shifrat u hapën vetëm në fundin e pjesës së parë. “Gjelat” e mbyllën takimin me rezultatin 3-0 ndaj Suedisë dhe siguruan biletën për në raundin e ardhshëm të kompeticionit.

Ylli i “Gjelave”, Kylian Mbappe, zhbllokoi takimin në minutën e 45-të, kur lëvizi bukur brenda zonës dhe me të djathtën tundi rrjetën. Kapiteni francez kishte kërkuar gjatë gjithë pjesës së parë; madje pati shënuar edhe në të 20-tën, por goli iu anulua nga anësori për pozicion jashtë loje.

Pjesa e dytë nisi ashtu si e para. Në minutën e 53-të, Barcola mori një top brenda zonës dhe përballë portierit nuk gaboi, duke e dyfishuar epërsinë. Suedezët, që ishin kualifikuar si një nga vendet e treta më të mira, tashmë e ndienin peshën e dy golave të Francës.

Mbappe nuk u ndal. Në minutën e 74-të, Olise pasoi për kapitenin francez, i cili shënoi golin e tretë dhe të dytin personal të mbrëmjes. Me dyshen e tij, kapiteni i dha goditjen përfundimtare ëndrrës suedeze për një surprizë në New Jersey.

Francës nuk i munguan momentet kur u ndal nga shtyllat. Në të 32-tën, Kounde hodhi një top për Mbappe, por topi u përplas në shtyllë, ndërsa në të 36-tën një roveshatë e Olise mbeti po ashtu te shtylla. Po ashtu, një supergol i Olise-s u mohua gjatë takimit.

Portieri suedez Zetterstrom ishte protagonist në pjesën e parë, duke ndalur disa herë Mbappen, Digne dhe Rabiot nga distanca. Në anën tjetër, Maignan iu përgjigj Isak në minutën e 3-të dhe Gyokeres në të 89-tën, kur sulmuesi provoi brenda zonës, por nuk gjeti rrugën e rrjetës.

Me këtë fitore, Franca kalon në 1/8-at e Botërorit, ku do të përballet me Paraguain, ndërsa për Suedinë aventura amerikane mbyllet këtu. “Gjelat” duket se e kanë gjetur formën në momentin e duhur të turneut.

Burim: Top Channel
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Pse Granit Xhaka ndau foto me Leonitën mes Kupës së Botës?
  2. Koeman jep dorëheqjen pas eliminimit të Holandës nga Botërori
  3. Sa skuadra garojnë për 2,100 euro në finalen LAN të 'Sharri 5v5'?
  4. Franca kryeson 1-0 ndaj Suedisë pas gjysmës falë Mbappé

Vazhdo leximin