Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Izraelit, Foda pa shumë ndryshime
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, pritet të aplikojë skemën 3-4-3 në ndeshjen ndaj Izraelit në stadiumin „Fadil Vokrri“.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Përfaqësuesja e Kosovës luan sot ndaj Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve, ndërsa trajneri gjerman Franco Foda parashikohet të ruajë boshtin kryesor të skuadrës duke iu besuar sërish lojtarëve të rreshtuar në skemën 3-4-3, njëlloj si në takimin e fundit kundër Austrisë. Ndeshja e vlefshme për raundin e pestë të grupit 3 në Ligën B nis në orën 15:00 në stadiumin «Fadil Vokrri».
Në formacionin startues të Dardanëve do të ketë dy ndryshime të detyruara, ku Amir Saipi do të pozicionohet në portë në vend të Arijanet Muricit, ndërsa Kreshnik Hajrizi zëvendëson të lënduarin Lumbardh Dellova. Në repartin e mbrojtjes pritet të aktivizohen Ilir Krasniqi, Kreshnik Hajrizi dhe Ron Raçi, kurse në krahë do të luajnë Dion Gallapeni dhe Mërgim Vojvoda.
Mesfusha do të përbëhet nga Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha, ky i fundit i favorizuar ndaj Elvis Rexhbeçajt që është rikthyer. Për fazën ofensive, përzgjedhësi mund t'i besojë Edon Zhegrovës, Vedat Muriqit dhe Baton Zabërgjës, duke lënë sërish në bankën e rezervistëve Fisnik Asllanin.