Filmi “Shame and Money” dhe kultura kosovare prezantohen në Hagë
Festivali ndërkombëtar në Holandë hapet me veprën e regjisorit Visar Morina dhe performancën e pianistit Arben Ramadani.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, u shfaq në mbrëmjen hapëse të festivalit ndërkombëtar “Eastern Neighbours Film Festival” (ENFF) në Hagë të Holandës. Ngjarja nisi me fjalën e drejtoreshës së festivalit, Kostana Banovic, kurse programi u pasurua me performancën e pianistit Arben Ramadani, i cili solli muzikë të ndërthurur me ndikime nga folklori shqiptar.
Vepra kinematografike e Morinës sjell ngjarjen e një familjeje nga Kosova e cila përballet me sfida ekonomike dhe pasoja të një tradhtie familjare që rrezikon jetesën e saj. Mbrëmja u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë dhe u përmbyll me një pritje ku të ftuarit shijuan verëra dhe ushqime tradicionale nga vendi.
Në këtë edicion mori pjesë edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it, i cili ishte anëtar i jurisë në kategorinë e talenteve të reja. Sipas Ambasadës së Kosovës në Hagë, ky angazhim dëshmon praninë e profesionistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare dhe kontributin e tyre në promovimin e krijimtarisë filmike të rajonit.