Familjet e dy kosovarëve të vdekur në Itali marrin 2 milionë euro
Familjet e dy punëtorëve nga Kosova që vdiqën në një aksident trafiku në Itali do të marrin dëmshpërblim prej 2 milionë eurosh.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Familjet e dy punëtorëve me origjinë nga Kosova, të njohur si V.Xh. dhe D.S., do të përfitojnë gjithsej 2 milionë euro pas vdekjes së tyre në një aksident trafiku. Pagesa e kësaj shume do të mbulohet nga kompania e sigurimeve të furgonit, pronë e firmës ku ishin të punësuar viktimat.
Ngjarja tragjike ndodhi mëngjesin e 30 majit 2025, rreth orës 06:30, në segmentin e autostradës A22 midis Bressanones dhe Chiusa-s. Katër punonjës po udhëtonin me automjetin e kompanisë drejt një kantieri ndërtimi, kur furgoni u përplas me disa kamionë. Sipas hetimeve të ngjarjes, shoferi po parakalonte automjete të rënda dhe, gjatë kthimit në korsinë e vet, nuk vërejti në kohë një kolonë kamionësh që lëviznin ngadalë.
Përplasja rezultoi fatale për dy punëtorët që ndodheshin në anën e djathtë të automjetit, njëri në ulësen e pasagjerit dhe tjetri në atë të pasme, të cilët mbetën të bllokuar në rrënoja dhe vdiqën në vendngjarje. Ndërkohë, dy persona të tjerë, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit, pësuan lëndime jo të rënda. Viktimat jetonin prej kohësh në Itali, ku banonin në Bronzolo dhe Bolzano, dhe ushtronin aktivitetin e tyre në sektorin e ndërtimit.