Vazhdo leximin
e mërkurë, 14 tetor 2026 Ne bëjmë zhurmë
ZHURMA
⌕ ☆

Organizatat e gazetarëve dënojnë dhunën e policisë gjatë protestave

Rrjeti SafeJournalists dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kanë reaguar ndaj dhunës së policisë ndaj ekipeve mediatike gjatë protestës në Tiranë.

Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim

Rrjeti SafeJournalists dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) kanë dënuar sjelljen e forcave të rendit ndaj punonjësve të medias gjatë mbulimit të protestave. Sipas organizatave, reporterët dhe kameramanët u përballën me përdorim të tepruar të forcës, gaz lotsjellës, autobotë me ujë, si dhe sulme fizike gjatë kryerjes së detyrës në terren. SafeJournalists i ka bërë thirrje Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të japin shpjegime publike dhe të kërkojnë llogaridhënie për incidentet e shënuara, duke kërkuar gjithashtu hetime të pavarura.

Organizatat e gazetarëve dënojnë dhunën e policisë gjatë protestave
Foto: report.al

Në raportimet e organizatave përmenden disa raste konkrete të dhunës dhe pengimit të gazetarëve, përfshirë Izmir Akullin, kryeredaktor i Dosja.al, i cili u dhunua nga disa efektivë ndërsa po filmonte një ndërhyrje pranë Bankës së Shqipërisë dhe pati nevojë për ndihmë mjekësore. Po ashtu, u raportua për lëndimin e gazetares së Fax News, Fatime Halmusa, pengimin e gazetarit të A2 CNN, Anesti Bajramemaj, dhe operatorit Henri Simota, kërcënimin me arrestim të gazetarit të Top News, Xhoi Malësia, si dhe goditjen në kokë të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca. Nga ana e tij, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë bëri të ditur se ka regjistruar katër denoncime zyrtare nga dy reportere dhe dy operatorë që pësuan lëndime fizike e vështirësi në frymëmarrje, duke kërkuar nga autoritetet verifikimin e rasteve dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

Lexo edhe

Më shumë →
Facebook WhatsApp X
LIVE Rr.Tirana, Prizren 25 kamera →