Çfarë kërkuan eurodeputetët nga Jaupaj për Zvërnecin?
Delegacioni i Parlamentit Europian kërkoi informacion të drejtpërdrejtë mbi projektin e mundshëm në zonën e mbrojtur Nartë-Zvërnec.
TIRANË — Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, priti sot një delegacion të Parlamentit Europian të përbërë nga eurodeputetët Tineke Strik, Daniel Freund, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg. Ata shprehën interes të drejtpërdrejtë për t’u informuar mbi situatën mjedisore dhe projektin e mundshëm në zonën e mbrojtur Nartë-Zvërnec.
Ministri Jaupaj paraqiti gjendjen aktuale të procesit, duke sqaruar se deri më sot nuk është depozituar asnjë projekt-propozim përfundimtar pranë institucioneve përgjegjëse shqiptare. Ai konfirmoi se në këtë zonë nuk ka nisur ende asnjë aktivitet ndërtimor, pasi nuk është miratuar asnjë leje ndërtimi nga autoritetet përkatëse.
Jaupaj garantoi eurodeputetët se nëse paraqitet ndonjë projekt, ai do t'i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis. Ky vlerësim do të bazohet në standarde të larta profesionale, transparencë të plotë, konsultim publik dhe me pjesëmarrjen e institucioneve kompetente, duke u mbështetur në prova shkencore dhe ekspertizë të specializuar.
Mbrojtja e biodiversitetit, e habitateve natyrore, e specieve të mbrojtura dhe integritetit ekologjik të zonës do të jetë prioritet i panegociueshëm. Ministria u shpreh e vendosur për të ndjekur me rigorozitet çdo procedurë dhe për të respektuar plotësisht legjislacionin mjedisor kombëtar në çdo fazë të ardhshme.
Ky angazhim lidhet ngushtë me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe përmbushjen e kritereve për Kapitullin 27 për mjedisin. Vendi ynë ka detyrim të harmonizojë plotësisht legjislacionin dhe të zbatojë standardet europiane në vendimmarrje për të garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.