EULEX dhuron pajisje dhe rinovon dhomat e IML-së për viktimat
Misioni i Bashkimit Evropian ka mbështetur Institutin e Mjekësisë Ligjore me donacion për përmirësimin e kushteve të ekzaminimeve.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Institutit të Mjekësisë Ligjore i janë dorëzuar pajisje dhe mobilie të reja nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, me qëllim ngritjen e cilësisë së shërbimeve mjekoligjore për personat që kanë përjetuar dhunë. Donacioni është dorëzuar të enjten, më 26 nëntor, nga shefi i EULEX-it, Antero Lopes, te ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të IML-së, Valon Hyseni.
Në kuadër të këtij investimi janë rinovuar dy hapësira të këtij institucioni që shfrytëzohen për intervista dhe ekzaminime forenzike të të rriturve dhe fëmijëve. Lopes ka deklaruar se «ekzaminimet mjekoligjore të mbijetuarve të dhunës seksuale, të cilët shpesh janë gra, por, siç tregojnë me keqardhje edhe statistikat, edhe fëmijë, veçanërisht vajza, kërkojnë kujdes të veçantë dhe një mjedis që e respekton dinjitetin, privatësinë dhe nevojat individuale të tyre».
Ndërkaq, Hyseni ka theksuar se institucioni që drejton mban përgjegjësinë për të ofruar shërbime profesionale dhe konfidenciale. «Kur të mbijetuarit e dhunës seksuale vijnë në IML, është përgjegjësia jonë që t’i trajtojmë me dinjitet dhe të sigurohemi që ekzaminimet mjekoligjore të kryhen në mënyrë profesionale, duke i kushtuar kujdes të duhur mirëqenies dhe konfidencialitetit të tyre», është shprehur ai, duke i shprehur mirënjohjen misionit evropian.
Sipas njoftimeve zyrtare, ndërhyrja në këto hapësira përbën vetëm një hap të përkohshëm, ndërsa si synim afatgjatë mbetet themelimi i një qendre të qasshme për referimin e rasteve, e cila do të ofrojë ekzaminime, mbështetje ndaj traumës dhe këshillim ligjor e psikologjik.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar


