Zhurma Press E Mërkurë · 09 Shtator 2026 — Prishtinë · Tiranë · Shkup · Diaspora Treguesi Kërko Ruajtur · 0 Abonohu falas
LIVE · 13:14 60+ burime · klasifikim automatik · mbikëqyrje redaksionale
E fundit Edicioni 13:00 · Dreka
ZHURMA
Lajme DIA

Çfarë synon Erduan Rexhepinë në elitën e gastronomisë italiane?

Shefi i kuzhinës së njohur për kreativitetin dhe qasjen e tij moderne në restorantin SEELEITEN në Caldaro të Bolzanos

Redaksia ZHURMA 13:49 Përditësuar 17:17 2 min lexim
Çfarë synon Erduan Rexhepinë në elitën e gastronomisë italiane?
FOTO · Ilustrim · Vintage books and autumn decor create a cozy atmosphere for reading in a rustic setting (CC BY 2.0) / Wikimedia Commons Arkivi ZHURMA

Nga Gostivari në elitën e gastronomisë italiane, historia frymëzuese e shefit Erduan Rexhepi. I larguar nga Gostivari në fëmijëri, Erduan Rexhepi ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme në Itali. Sot ai drejton kuzhinën e hotelit prestigjioz SEELEITEN, ndërsa mediat italiane e rendisin mes emrave më premtues të gastronomisë moderne.

Nga bankat e shkollës fillore në Çegran të Gostivarit deri në kuzhinat e një prej hoteleve më prestigjioze në Tirolin e Jugut, rrugëtimi i Erduan Rexhepit është historia e një të riu që e shndërroi pasionin në profesion dhe ëndrrën në sukses, transmeton albinfo.ch .

Mediat italiane i kanë kushtuar së fundmi një portret të veçantë shefit të kuzhinës me prejardhje shqiptare, duke vlerësuar talentin, kreativitetin dhe qasjen e tij moderne në restorantin SEELEITEN në Caldaro të Bolzanos. Sipas tyre, Rexhepi është një nga emrat në ngjitje të gastronomisë italiane.

I lindur më 29 tetor 1997 , Erduani kaloi vitet e para të fëmijërisë në Çegran të Gostivarit. Pas përfundimit të klasës së tretë, familja u vendos në Itali, ku ai nisi një kapitull të ri të jetës që do ta çonte drejt një karriere të suksesshme.

Ajo që e bën historinë e tij edhe më të veçantë është fakti se e gjithë rruga profesionale është ndërtuar në të njëjtin vend. Në vitin 2013 , ai iu bashkua hotelit SEELEITEN si një i ri pa përvojë, ndërsa sot është shefi i kuzhinës që drejton një ekip prej rreth 25–26 profesionistësh .

Prej tre vitesh ai mban postin e Shefit të Kuzhinës , duke ndërtuar një identitet gastronomik që ndërthur teknikat moderne me produktet vendore. Në këtë rrugëtim, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe mentori i tij, shefi Oliver Thaler , me të cilin bashkëpunoi për shumë vite.

Krijimet e tij kulinare kanë tërhequr vëmendjen e kritikës italiane. Mes tyre spikat ravioli me tartuf me “zemër të lëngshme” , i përgatitur me një teknikë të veçantë gatimi në tri faza, si dhe “Panzanella Alpina” , një interpretim bashkëkohor i një recete tradicionale italiane.

Pikërisht kjo qasje inovative ka ndikuar që hoteli dhe restoranti SEELEITEN të vlerësohen nga udhëzuesit më prestigjiozë gastronomikë, si Michelin dhe Gambero Rosso . Që nga viti 2024 , hoteli është nderuar me 1 Michelin Key (Çelës Michelin) , një nga vlerësimet më të rëndësishme për hotelet në botë, i cili njeh cilësinë e jashtëzakonshme të shërbimit, përvojës dhe ofertës gastronomike.

“Ky është një çmim shumë i veçantë për mua dhe për të gjithë stafin e hotelit”, ka thënë Rexhepi. Në një moshë ende të re, Erduan Rexhepi është shndërruar në një emër të respektuar në gastronominë italiane, duke dëshmuar se përkushtimi, talenti dhe puna e vazhdueshme mund të çojnë drejt majave të suksesit.

Burim: Albinfo.ch

— Redaksia ZHURMA

Komentet