Zana
Zana, figurë e mitologjisë shqiptare, hyjneshë e maleve dhe e natyrës së egër. Zana përfytyrohej si një vajzë me bukuri të rrallë, e veshur në të bardha, nganjëherë me fletë, që banonte në majat e maleve, pranë burimeve dhe grykave të Alpeve shqiptare. Çdo mal kishte Zanën e vet. Ajo ishte një qenie hyjnore plot trimëri e egërsi, mbrojtëse e maleve, e përrojve dhe e luftëtarëve. Nderi më i madh për një hero ishte të quhej «trim si Zana» ose të kishte një armë që «vret si Zana». Zana i donte trimat shqiptarë dhe i ndihmonte në luftë, ashtu si Atena Palada ndihmonte heronjtë e saj. Ajo ndëshkonte ata që çnderonin natyrën ose guxonin ta shqetësonin kur lahej në burime. Në Shqipërinë e Jugut ajo quhej Zëra. Paralelet me Dianën (Artemidën) janë të dukshme, por kulti i fortë i Zanës në mbarë Gadishullin Ballkanik na bën të mendojmë se kemi të bëjmë me një hyjni vendase paragreke, ndër figurat më të rëndësishme të mitologjisë shqiptare.
Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.