Vëllezërit e Arvalit

Vëllezërit e Arvalit, kolegjium i priftërinjve romakë që i kushtohej kultit të Dea Dias, hyjneshës së vjetër romake të bujqësisë. Sipas legjendës, kolegjiuminë e themeloi Romuli me dymbëdhjetë bijtë e Aka Larencias (që këtej vjen edhe fjala vëllezër, që përdornin anëtarët e tij). Në fillim arvalët pranoheshin me kooptim, por më vonë ata caktoheshin nga perandori, i cili shpeshherë ishte edhe kryetar. Tempulli dhe druri i shenjtë i Dea Dias ndodheshin në rrethinat e Romës. Festa e hyjneshës bëhej në muajin maj dhe zgjaste tri ditë. Dita e parë dhe e tretë kremtohej në Romë me flijime dhe me tryeza të përbashkëta, ndërsa dita e dytë kremtohej në Tempull. Atë ditë organizoheshin lojëra dhe rendje në arenën e cirkut. Në ceremoninë e ditës së dytë arvalët këndonin këngë. Kolegjiumi i Vëllezërve të Arvalit duhet të jetë zhdukur në gjysmën e shekullit III.

Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.

Shih edhe