Ekoja
Ekoja, nimfë e pyjeve, personifikim i oshëtimës. Për atë ti egojnë shumë legjenda kontradiktore. E rritur nga nimfat dhe e edukuar nga muzat, ajo kërkonte vetminë, u shmangej perëndive dhe njerëzve. Por Pani nxiti kundër saj barinjtë e vendit, të cilëi e bënë copë-copë dhe gjymtyrët e saj i shpërndanë nëpër të gjitha pjesët e tokës, prandaj kudo e dëgjonin të rënkonte. Sipas një legjende tjetër, Ekoja dashuroi Narcisin e bukur dhe nga vuajtjet e kësaj dashurie të parealizuar u tha aq shumë, sa mbeti vetëm zëri i saj. (→ Narcisi). Sipas një gojëdhëne tjetër që na e jep Ovidi, Ekoja e zbaviste Herën me dërdëllisjet e saj, gjatë kohës që mbreti i perëndive u vinte rrotull nimfave. Por Hera e kuptoi dhe e shndërroi vashën në oshëtirnë që të mos mundte më të përsëriste veçse rrokjen e fundit të fjalëve të saj. Këto legjenda grekët i krijuan për të shpjeguar dukurinë e oshëtimës, që e kishin vënë re në male.