Ish-embriologia e Spitalit Amerikan merr drejtimin e sterilizimit shtetëror
Ministrja Evis Sala ka shërbyer gjithashtu si rektore në Western Balkans University, një tjetër institucion i lidhur me bizneset e Spitalit Amerikan.
TIRANË — Emërimi i Arisa Canes si administratore e OSHIS sh.a. deri në vitin 2029 ka ringjallur dyshimet për ndikimin e Klodian Allajbeut në shëndetësinë publike. Kjo shoqëri shtetërore administron Stacionin e Sterilizimit në QSUT dhe koordinon shërbimin në spitalet publike pas përfundimit të koncesionit dhjetëvjeçar.
Para këtij emërimi, Cane ka punuar si embriologe në departamentin e Fertilizimit In Vitro në Spitalin Amerikan, që lidhet me Allajbeun. Ndonëse kalimi nga sektori privat në administratë nuk përbën shkelje ligjore, profili i saj laboratorik ka ngritur pikëpyetje për këtë post shtetëror.
Ky emërim merr peshë pasi edhe ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka pasur lidhje me bizneset e Allajbeut. Nga viti 2022 deri në 2025, Sala shërbeu si rektore themeluese e Western Balkans University, institucion i lidhur me Spitalin Amerikan, para se të merrte drejtimin e ministrisë.
Kompanitë e Allajbeut janë përfituese të dy kontratave të mëdha koncesionare në shëndetësi: hemodializës prej rreth 84 milionë eurosh dhe laboratorëve prej 130 milionë eurosh. Në qershor të vitit 2024, ndaj tij dhe kompanive u depozitua kallëzim në SPAK për korrupsion e pastrim parash.
Në kallëzim pretendohej se kompani si Western Balkans University, Evita apo Dia Vita janë përdorur për të kontrolluar indirekt koncesionet dhe për të nxjerrë fondet jashtë vendit. Te hemodializa, shoqëria Evita sh.p.k. ia shiti aksionet një kompanie holandeze për 160 mijë euro pasi fitoi koncesionin.
Problemet u konfirmuan edhe nga KLSH, ku kreu Arben Shehu pranoi pagesa për shërbime të pakryera. Për më tepër, deputeti Erion Braçe deklaroi në Kuvend se janë kryer pagesa për mijëra shërbime jashtë parashikimit, me një efekt financiar dëmtues prej mbi 103 milionë lekësh.
Aktualisht nuk ka prova se Cane ka favorizuar ndonjë operator apo se emërimi i saj është ndikuar direkt. Megjithatë, marrja e drejtimit të sterilizimit nga një tjetër ish-punonjëse e Allajbeut shtron pyetjen nëse kemi të bëjmë me meritokraci apo me shtrirje të ndikimit të privatit te paratë publike.
Burim: Report Tv
— Redaksia ZHURMA