Elseid Hysaj lë në pritje ofertat nga Emiratet e Bashkuara Arabe
Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, mbetet pa ekip pas përfundimit të kontratës me Lacion.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Elseid Hysaj i është bashkuar Kombëtares shqiptare si një lojtar pa ekip, pasi kontrata e tij me Lacion u mbyll më 30 qershor dhe prej asaj kohe nuk ka gjetur një sistemim të ri. Për të ruajtur gjendjen fizike optimale për grumbullimet, ai është stërvitur fillimisht me Vllazninë dhe me një përgatitës atletik personal, ndërsa së fundmi është stërvitur në Itali me ekipin e të rinjve të Eppolit.
Mediat italiane bëjnë të ditur se për mbrojtësin kuqezi ka pasur interesim nga disa klube në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë treguar të gatshme t'i ofrojnë atij vazhdimin e karrierës në radhët e tyre. Megjithatë, prioriteti i Hysajt për momentin mbetet vazhdimi i lojës në Europë, duke i lënë ofertat nga Lindja e Mesme në pritje me synimin për të fituar shikueshmëri përmes paraqitjeve me Shqipërinë.