Ekspozita “Vizatimi në Lumë” e artistit Agron Blakçori
Instituti i Artit Bashkëkohor DELFIN ka hapur ekspozitën personale të artistit Agron Blakçori në hapësirat e Bukëpjekësit “Drini i Bardhë”.
Instituti i Artit Bashkëkohor DELFIN hapi ekspozitën personale “Vizatimi në Lumë” të artistit Agron Blakçori. Ekspozita mund të lexohet si një reflektim mbi pamundësinë për ta fiksuar përfundimisht realitetin.
Sipas kritikut të artit Ilir Muharremi, lumi është lëvizje, ndryshim dhe kohë, ndërsa vija është përpjekje për të lënë një gjurmë brenda kësaj rrjedhe. Gjurma nuk është kurrë e përjetshme, ajo lind, fiksohet për një çast dhe mbetet e hapur ndaj ndryshimit.
Vepra nis nga një kontradiktë ontologjike për të vendosur një shenjë mbi një substancë që nuk e pranon shenjën si pronë të saj. Vizatimi nuk është më një sipërfaqe mbi të cilën ndërtohet imazhi, por një akt që përballet me pamundësinë e përhershmërisë, duke e afruar projektin me një pyetje themelore të artit bashkëkohor mbi vlerën e veprës dhe të aktit që ndodh.

