Dy të akuzuar pranojnë fajësinë për keqpërdorimet në Telekom
Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni kanë pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar, ndërsa katër të tjerë janë deklaruar të pafajshëm.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Në seancën e shqyrtimit fillestar të udhëhequr nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, dy nga të akuzuarit, Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni, kanë pranuar fajësinë për akuzat që lidhen me korrupsionin dhe vepra të tjera penale në Telekomin e Kosovës. Ndërkohë, Trim Musliu, Kreshnik Musliu, Armend Osaj dhe Fatbardh Abazaj janë deklaruar të pafajshëm.
Mbrojtësja e Cemanit, avokatja Merita Bajraktari, kërkoi nga gjykata aprovimin e pranimit të fajësisë, duke theksuar se i mbrojturi i saj ishte konsultuar paraprakisht dhe i kuptonte përfitimet dhe pasojat. Një deklaratë të ngjashme dha edhe mbrojtësja e Hysenit, avokatja Arbenita Aliu. Prokurori special, Rafet Halimi, u pajtua me pranimin e fajësisë dhe sugjeroi që shpallja e dënimit të bëhet pas përfundimit të procedurës për të akuzuarit e tjerë, pasi Ceman dhe Hyseni janë dëshmitarë bashkëpunues.
Gjyqtarja Namani-Hajra aprovoi pranimin e fajësisë dhe vendosi që shpallja e vendimit ndaj tyre të pezullohet deri në përfundimin e procedurës për pjesën tjetër të të akuzuarve. Personave që nuk e pranuan fajësinë iu dha një afat prej 30 ditësh për të paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës. Në një shqyrtim të mëparshëm të mbajtur më 5 nëntor 2024, Ceman dhe Hyseni kishin pranuar fajësinë, mirëpo shqyrtimi fillestar filloi nga e para për shkak të ndryshimit të kryetarit të trupit gjykues.
Sipas aktakuzës së ngritur më 26 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në këtë rast përfshihen Trim Musliu, Armend Osaj, Denis Ceman, Kreshnik Musliu, Alban Limani, Fatbardh Ajvazi dhe Gazmend Hyseni. Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Trim Musliu kishte vepruar në cilësinë e drejtorit të marketingut në Telekom gjatë periudhës nga 21 janari 2019 deri më 24 prill 2019.