Drita kërkon fitore në Andorrë për kualifikim, Manaj: Jemi 100% të gatshëm
Kampionia e Kosovës luan të enjten ndeshjen e kthimit të play-offit ndaj Inter D’Escaldes, pas barazimit 2-2 në takimin e parë.
Drita do të kërkojë të enjten nga ora 19:00 në Andorrë kualifikimin në Ligën e Konferencës, në ndeshjen e kthimit të play-offit ndaj Inter D’Escaldes. Skuadra gjilanase vjen pas barazimit 2-2 në takimin e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, me golat e Hajdin Salihut dhe Blerim Krasniqit.
Trajneri Ardian Nuhiu ka thënë se kundërshtari është studiuar hollësisht dhe pret nga futbollistët e tij një nivel më të lartë loje, duke kërkuar më shumë agresivitet për të siguruar kualifikimin. Ai është shprehur besimplotë në cilësitë e grupit.
Sulmuesi Arb Manaj ka deklaruar se ekipi duhet të përmirësojë mbrojtjen dhe të mos përsërisë gabimet që çuan në dy golat e pësuar. Ai ka thënë se skuadra është 100 për qind e gatshme dhe shpreson të largohet me fitore, duke e konsideruar Dritën disi më të favorizuar, por pa garanci për kalim.
Drita synon të përsërisë arritjen e edicionit të kaluar, kur u kualifikua në fazën e ligës dhe më pas kaloi në play-offin e fazës nokaut.