Pse rritet dhuna në familje në Tetovë?
38 të akuzuar për më pak se gjashtë muaj, dhuna shfaqet jo vetëm nga burrat ndaj grave, por edhe anasjelltas
— Tetova, dhuna në familje shënon rritje në rajonin e Tetovës. Për më pak se gjashtë muaj, në Prokurorinë e Tetovës janë evidentuar 38 raste të kësaj natyre.
Në shumicën e rasteve, denoncuesit janë vetë viktimat, por nuk kanë munguar as dëshmitarët apo personat e tjerë që kanë parë dhunën dhe e kanë raportuar atë.
“Për më pak se gjashtë muaj, që nga fillimi i këtij viti, në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë janë pranuar kallëzime penale kundër gjithsej 38 personave për vepra penale të lëndimit trupor dhe rrezikimit të sigurisë të kryera gjatë dhunës në familje.
Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është evident një rritje e ndjeshme e numrit të lëndëve të tilla, ndërsa në ditë të caktuara regjistrohen edhe nga disa raste në ditë”, tha Prokuroria Themelore
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se dhuna në familje nuk shfaqet vetëm atëherë kur burrat sulmojnë bashkëshortet, por edhe anasjelltas. Ndërkaq, në rritje janë edhe rastet kur fëmijët ushtrojnë dhunë ndaj prindërve.
Sipas policisë, ndër shkaktarët kryesorë janë konsumimi i alkoolit, bixhozi, problemet psikike si dhe kushtet e rënda ekonomike.
“Shkaktarët kryesorë të problemeve familjare apo dhunës në familje, si çdo herë, janë droga, alkooli, çrregullimet nervore dhe shkaqet ekonomike.
Megjithatë, dhuna në familje mbetet një dukuri që në shumë raste fshihet nga të afërmit ose nga vetë viktimat. Si nga Prokuroria, ashtu edhe nga SPB Tetovë, bëhet apel që këto raste të denoncohen me kohë, në mënyrë që të parandalohen lëndimet e rënda trupore apo tragjeditë ku merret jeta e njeriut, siç ishte rasti i fundit në Gostivar.
Burim: TV21, https://tv21.tv/tetove-rritet-numri-i-rasteve-te-dhunes-ne-familje-per-me-pak-se-gjashte-muaj-38-te-akuzuar/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.