Dëshmitarja flet për lëvizjet e Jovan Viqentijeviqit para arrestimit
Në gjykimin për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, dëshmitarja Tiana Viqentijeviq tregoi për orët para se të nisej në punë axha i saj.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Në seancën e radhës për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, dëshmitarja Tiana Viqentijeviq deklaroi se e kishte takuar axhën e saj, Jovan Viqentijeviq, mbrëmjen e ditës kritike pak para se ai të nisej për në vendin e punës në ujësjellësin e Ujmanit. Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Millosh Deloviq, ajo tregoi se Jovani kishte ardhur në Zubin Potok për t'i sjellë vezë nga fshati, ndërsa ngjarjen e kujtonte qartë pasi arrestimet e dy axhallarëve të saj, Jovanit dhe Dragishës, ndodhën një ose dy ditë më vonë. «Po më kujtohet, Jovanin atë ditë e kam parë sepse atë ditë është përgatitur për a shkuar në punë», tha ajo, duke shtuar se ai kishte mbërritur rreth orës 18:10 dhe ishte nisur me një koleg për ndërrimin që fillon në orën 20:00.
Gjatë kësaj seance, trupi gjykues aprovoi kërkesën e zëvendësprokurorit Armend Zeneli për ndërprerjen e seancës për shkak të një urgjence të prokurorit. Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, njoftoi se seanca shtyhet në kohë të pacaktuar pasi ai pensionohet më 10 nëntor, ndërsa palët do të njoftohen më vonë për vazhdimin.
Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë dhe partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviqit, për sulmin e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varagë. Sipas aktakuzës, të pandehurit vendosën rreth 20 kilogramë eksploziv TNT brenda kanalit, i cili shkaktoi dëme të rënda materiale prej 376 mijë e 774.70 eurosh, ndërpreu furnizimin me ujë dhe rrezikoi energjinë elektrike. Jovan Viqentijeviq akuzohet gjithashtu për spiunazh, si i rekrutuar në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë me gradën e kolonelit, kurse Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.