Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Diel · 26 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Çun Lajçi: Nëse ju dukem rrugaç, uluni pranë meje dhe më thoni…

Redaksia ZHURMA Përditësuar 22:52 + Ruaj
Çun Lajçi: Nëse ju dukem rrugaç, uluni pranë meje dhe më thoni…
FOTO · Arkivi ZHURMA

Nëse ju dukem rrugaç, uluni njëherë pranë meje

Kur bahesh shitës, si unë, duhet me i durue edhe ata që të duen, edhe ata që të urrejnë.

Prandaj po i duroj edhe ata që më thonë:
— «Ke mbetë për gjynah!»
Apo:
— «I tillë ke qenë gjithmonë: pa palcë, pa dije e pa kurriz.»

Po ju duroj edhe ju që më thoni se kam mbetë aty ku paskam pasë vendin gjithmonë: rrugëve. Se, sipas jush, rrugaç paskam qenë edhe në rininë time pa rini, e ky rol më paska ndjekë tanë jetën, sepse vetëm këtë paskam ditë me e luejtë ma mirë se çdo rol tjetër.

Ju që më queni «pijanec», «narkoman», «militant», «lypës» e «rrugaç», sot po jua kthej përgjigjen.

Jo me gjuhën tuej. Jo me fjalët tueja.

Se unë kam qenë çoban.

E çobani nuk i poshtënon delet e veta, sepse prej tyne ushqehet e vishet.

Prandaj, butë e urtë, po ju ftoj me ardhë në Kurrizin e Dardanisë, te ajo skenë e hapun ku, sa herë afrohen zgjedhjet, pushtetarët dalin e lypin votat tona.

Ejani!

Kam me ju tregue çka asht teatri klasik, drama klasike, komedia e tragjedia; baleti, opera; filmi i metrazhit të gjatë e i shkurtë, dokumentari; kanga me lahutë, me sharki e me çifteli.

Kam me ju folë për heronjtë, prej Odiseut e deri te Ademi i Shabanit; për atdhetarinë, për moralin, për besën, për fjalën e dhanun, për zakonet e maleve.

Kam me ju folë edhe për fenë, për fenë e pastër, për besimin e Hazretëve të Perendisë.

Se unë nuk jam për gjynah.

Nuk jam lypës.
Nuk jam kurvar.
Nuk jam narkoman.
Nuk jam pijanec.

Jam një njeri që, në të tetëdhjetat e veta, e fiton bukën me djersën e vet, me punën e vet e me shkronjat e veta.

Kam me jua dëshmue se njeriu mundet me u ba i pasun tue shitë dije, jo tue vjedhë; jo tue mashtrue; jo tue u pasunue me drogë, prostitucion a poste shtetnore; jo tue ia marrë tjetrit djersën.

Po ju thërras edhe juve që më kërcënoni me vdekje.
Edhe juve që ma doni të keqen.
Edhe juve që s’lini fjalë të ndytë pa ma thanë.

Ejani në kafet e Kurrizit.

Ejani me takue nji plak që dikur ishte artist; krenaria e një krahine autonome që quhej Kosovë; nji poet, nji shkrimtar, nji njeri që han bukë me shkronja, jeton me shkronja e gëzohet me shkronja.

Ejani t’ju tregoj se si jetohet prej dijes e jo prej hajnisë; prej punës e jo prej kërcënimeve; prej nderit e jo prej linçimeve.

Unë kurrë s’kam qenë i shkretë, se pse e kam nji sokol djalë!

Kurrë s’kam qenë militant i pushtetarëve, se shtet e pushtet jam vet.

Jam nji Ezop, që ndoshta nuk e dini kush ishte.

Jam nji Diogjen, për të cilin ndoshta s’keni dëgjue kurrë.

Jam nji Homer, që ndoshta kujtoni se asht ndonji xhip bjeshkësh.

Jam nji Fishtë, prej gojës së të cilit ndoshta për herë të parë keni ndigjue për Marash Ucin, Oso Kukën e Çun Mulën.

Ejani t’ju tregoj si flitet shqip.
Si knohet shqip.
Si dashurohet shqip.
Si mbahet atdheu shqip.

Jo tue u zvarritë mbas pushtetarëve.
Jo tue ba tatuazh emnat e tyne.
Jo tue u mburrë me shqiponja e cullakhana.

Atdheu nuk mbahet në lëkurë.

Atdheu mbahet në fjalë.
Në besë.
Në dije.
Në punë.
Në kujtesë.

Prandaj, ejani!

Unë jam këtu.

Me çantën e librave në krah.
Me shkronjat e mia.
Me jetën time.

E nëse prapë ju dukem rrugaç, uluni njëherë pranë meje.

Ndoshta, tue ecë pak me mua, mësoni çka asht rruga.

E ndoshta, veç atëherë, e kuptoni kush ka humbë rrugën e kush e ka gjet.
Ejani t’iu shoh kush jeni e çka paskan rritë baballarët tuej se as shkja as turk as magjup, nuk me shau siç me shajtët Ju!

— Rrugaçi nuk asht ai që ecën rrugëve me libra në krah. Rrugaç asht ai që e ka humbë udhën drejt nderit, dijes e atdheut.

Shëngjin, 24.07.2026