Çitaku i reagon Marta Kosit: Të shqetësohet për drejtësinë në Hagë
Vlora Çitaku ka reaguar ndaj Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke thënë se ajo duhet të shqetësohet për drejtësinë në Hagë, jo për ligjet e Kosovës.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së Komisionerës Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila kishte thënë se ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme për Bashkimin Evropian. Çitaku deklaroi se ajo duhet të shqetësohet për drejtësinë e procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, e jo për ligjet që i miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit.
«Askush nuk dëshiron t’i shmanget drejtësisë. Përkundrazi, duam që procesi të kthehet në binarë të drejtë, të garantohet një gjykim i drejtë dhe të respektohen të drejtat themelore të njeriut», u shpreh Çitaku, duke shtuar se Gjykatën Speciale e kanë themeluar për të hequr një njollë të zezë nga historia për trafikim organesh nga raporti i Dick Marty-t, dhe jo për t'i sjellë Kosovës njollë për ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe karakterin çlirimtar të luftës.
Ajo theksoi se Kosova nuk po shkel detyrimet ndaj Bashkimit Evropian, se Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe se debati për ndryshimet ligjore synon përputhjen me parimet e drejtësisë. Sipas saj, shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë proces janë dokumentuar edhe nga The Bar Human Rights Committee of England and Wales.