Céline Dion rikthehet në skenë pas gjashtë vitesh me koncert në Paris
Këngëtarja kanadeze u shfaq të shtunën në Plenitude Arena në Nanterre, fillimisht e 26 koncerteve të planifikuara pas pauzës për shkak të sindromës së personit të ngurtë.
Céline Dion u rikthua të shtunën mbrëma në skenë pas një mungese gjashtëvjeçare, duke nisur serinë e saj me 26 koncerte në Plenitude Arena të Nanterre, në periferi të Parisit. Kjo ishte performanca e saj e parë e plotë që nga vitit 2020, kur mbaroi turneu "Courage".
Dion u prit me ovacione dhe u ngjit në skenë me këngën "On Ne Change Pas", por u pushtua nga emocionet dhe u përlot. "Rruga ishte e vështirë, udhëtimi zgjati më shumë nga sa ishte planifikuar, por unë qëndrova", tha ajo publikut. Mes këngëve të interpretuara ishin hitet "My Heart Will Go On" dhe "All By Myself".
Këngëtarja 58-vjeçare kishte paralajmëruar se do të kthehej, pasi në 2022 u diagnostikua me sindromën e personit të ngurtë (Stiff Person Syndrome), një çrregullim neurologjik i rrallë që shkakton spazma muskulore dhe e detyroi të tërhiqej. Pas diagnozës, ajo shfaqet vetëm në evente të veçanta, si hapja e Lojërave Olimpike të Parisit 2024.