Ambasada britanike kërkon shpjegime për rrëzimin e shtëpive te Ujmani
Ambasada shpreh shqetësim se veprimet përmbarimore kanë vazhduar ndërkohë që procedurat ligjore janë ende në zhvillim.
PRISHTINË — Ambasada e Britanisë në Kosovë ka reaguar ashpër pas rrëzimit të shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit/Gazivodës. Ambasada shprehet e shqetësuar dhe po i monitoron zhvillimet nga afër, duke kërkuar që proceset të jenë të drejta dhe transparente.
Britanikët kanë shprehur shqetësim për raportimet se veprimet përmbarimore kanë vazhduar ndërkohë që procedurat ligjore janë ende në zhvillim. Ambasada përmend se të prekurit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre, ndërkohë sa këto procedura zhvillohen.
Ambasada bën thirrje autoriteteve të Kosovës të angazhohen me komunitetet e prekura, të adresojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprime të mëtejshme që mund të minojnë besimin publik ose besimin ndërmjet komuniteteve. Sipas ambasadës, ligji duhet të zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme dhe të paanshme në gjithë Kosovën.
Burim: Gazeta Metro
— Redaksia ZHURMA