Pse Braho synon uljen me 70% të çështjeve të prapambetura?
Strategjia e re e SPAK-ut synon reduktimin e dosjeve të vjetra dhe përmirësimin e praktikës hetimore
TIRANË — Në Komisionin për Çështjet Ligjor dhe Administratën Publike, u zhvillua seanca dëgjimore me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, mbi veprimtarinë e SPAK për vitin 2025.
Braho theksoi se SPAK ka trajtuar rekomandimet e Kuvendit si pjesë të konsolidimit institucional, me fokus forcimin e analizës strategjike, rritjen e cilësisë së hetimit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional. Ai u ndal konkretisht në masat e marra për zbatimin e rekomandimeve kryesore.
Braho bëri të ditur se SPAK ka ngritur një grup pune dhe një mekanizëm ndërinstitucional për analizën e grupeve të krimit të organizuar, ndërsa me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë po përgatitet Vlerësimi Strategjik i Kërcënimit nga Krimi i Organizuar, i cili do të paraqesë karakteristikat kryesore të grupeve kriminale, tregjet ku veprojnë, mënyrat e veprimit, shtrirjen territoriale dhe ndërkombëtare, si dhe lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsit. Braho tha se ky dokument synohet të bëhet publik brenda këtij viti dhe të shërbejë për herë të parë si instrument i hapur strategjik për orientimin e politikës penale.
Në fushën e masave të sigurimit, u ngrit një grup pune për analizimin e praktikës së viteve 2021–2025, me qëllim vlerësimin e standardeve të kërkesave të Prokurorisë së Posaçme dhe trajtimin nga gjykatat.
Sa i përket krimeve zgjedhore, Braho deklaroi se gjatë periudhës 2021–2025, SPAK ka trajtuar mbi 230 materiale dhe ka regjistruar më shumë se 150 procedime penale. Vetëm për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë administruar 194 materiale dhe janë regjistruar 46 procedime penale.
Ai bëri të ditur se SPAK po punon për zgjerimin e përdorimit të teknologjive të avancuara në hetimet financiare, përfshirë analizën e blockchain dhe gjurmimin e kriptovalutave. Aktualisht SPAK ka akses në 22 nga 40 databaza shtetërore dhe synon zgjerimin e këtij aksesi. "Këto fusha të reja nuk janë më thjesht mbështetëse të hetimit penal. Ato janë kthyer në pjesë thelbësore të hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit modern", tha ai.
Një tjetër prioritet sipas Brahos mbetet unifikimi i metodologjisë hetimore, përmes standardizimit të procedurave për mbledhjen dhe administrimin e provave, në përputhje me jurisprudencën kombëtare dhe atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Braho bëri me dije se është miratuar edhe Strategjia për Reduktimin e Çështjeve të Mbartura 2025–2027, e cila tashmë ka hyrë në fazën e zbatimit. Objektivi është ulja me mbi 70% e çështjeve të prapambetura, duke reduktuar në 10% dosjet e regjistruara në vitin 2020 e më herët dhe në 20% ato të vitit 2021. "Qëllimi ynë është që reduktimi i backlog-ut të vijojë në mënyrë të qëndrueshme, duke garantuar cilësinë e hetimit dhe respektimin e të drejtave procedurale", tha ai.
Braho njoftoi gjithashtu se SPAK ndodhet në fazën përgatitore për hapjen e procedurës së rekrutimit të 40 hetuesve të rinj në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), me synim forcimin e kapaciteteve në inteligjencën kriminale, hetimet financiare, kriptovalutat dhe krimin kibernetik.
Në bashkëpunimin ndërkombëtar, gjatë vitit 2025 SPAK ka marrë 95 kërkesa për ndihmë juridike nga 17 shtete dhe ka dërguar 156 kërkesa drejt 31 shteteve, ndërsa numri i skuadrave të përbashkëta hetimore është rritur nga 26 në 32. Braho tha se SPAK do të vijojë të intensifikojë bashkëpunimin me Eurojust, Europol, OLAF dhe agjencitë e BE-së.
Burim: ATSH, https://ata.gov.al/2026/07/03/braho-finalizojme-strategjine-kunder-krimit-te-organizuar-objektiv-ulja-me-70-e-ceshtjeve-te-prapambetura/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.