Bilanci i protestës: 47 të lënduar dhe 16 të shoqëruar pas 10 orësh
Përfundon protesta dhjetëorëshe e 28 Nëntorit në Tiranë me ndërhyrjen e policisë, ndërsa ngjarja merr vëmendje ndërkombëtare.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
TIRANË — Protesta e 28 Nëntorit në Tiranë ka përfunduar pas rreth 10 orësh përplasjesh dhe tensionesh mes protestuesve dhe forcave të policisë. Tubimi nisi në orën 10:00 të paradites pranë Kryeministrisë dhe u përshkallëzua më pas në sheshin “Skënderbej”, i shoqëruar me hedhje gurësh e molotovësh, si dhe përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga efektivët.
Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, 47 persona, përfshirë efektivë policie, protestues, gazetarë, kalimtarë dhe një punonjës sigurie, u paraqitën në strukturat spitalore për ndihmë mjekësore, ndërsa vetëm në Spitalin Universitar të Traumës u paraqitën 30 të lënduar. Policia nisi aksionin përfundimtar për shpërndarjen e protestuesve rreth orës 19:30, i shoqëruar me dy autobotë me ujë, kurse protestuesit u larguan nga sheshi “Skënderbej” pak pas orës 20:00, duke lënë pas 16 të shoqëruar dhe dëmtime në godina institucionesh shtetërore.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e agjencive të mëdha ndërkombëtare të lajmeve si Reuters, Associated Press, AFP, Al Jazeera, Deutsche Welle, Anadolu Agency dhe The Telegraf, të cilat kanë raportuar mbi protestën, kërkesat e qytetarëve dhe studentëve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe ndërhyrjen e policisë.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar


