← diaspora
Live · diaspora · 14:23 · 22 Korrik 2026

Këshilltarja shqiptare në Taranto denoncon fyerje raciste — kolegu jep dorëheqjen

Këshilltarja e Tarantos u përball me kolegun për një propozim për ndryshimin e rregullores

— Një debat telefonik mes dy këshilltarëve bashkiakë të Tarantos ka përfunduar me akuza për fyerje me bazë raciste. Këshilltarja Bianca Boshnjaku, me origjinë nga Durrësi, denoncoi në rrjetet sociale se gjatë një bisede me kolegun e saj, Gianni Tartaglia, kryetarin e Komisionit të Shërbimeve të Këshillit Komunal të Tarantos, iu drejtua me shprehje fyese që lidhen me origjinën e saj, përfshirë mesazhin: “Kthehu në Shqipëri”.

Boshnjaku, në një lidhje live për Euronews Albania me gazetarin Thimi Samarxhiu më 22 korrik 2026, ora 13:59, sqaroi përplasjen. Sipas saj, debati nisi për një propozim për ndryshimin e rregullores bashkiake për personat me aftësi të kufizuar. Ajo pretendon se biseda degradoi në fyerje dhe kërkoi dorëheqjen e tij, ndërsa ky i fundit dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Komisionit të Shërbimeve, por mohoi akuzat për racizëm.

“Kam paraqitur para pak ditësh një propozim për ndryshimin e rregullores bashkiake për sa i përket njerëzve me aftësi të kufizuar. Synimi im ishte ekskluzivisht për të rifutur në rregulloren bashkiake një normë, një mbrojtje drejt personave që janë me kufizime fizike të rëndësishme”, tha ajo. Kjo rregullore ishte votuar dhe aprovuar më 24 qershor. Ajo shtoi: “Për arsye që nuk jam në gjendje ta kuptoj pse është hequr kjo pjesë e rregullores që garantonte këtë kategori personash. Sepse ka raste që një normativë mund të jetë shumë e rregullt nga ana formale, por nga ana praktike mund të krijojë probleme. Për këtë arsye u përpoqa ta ndreq këtë problem.”

Boshnjaku shpjegoi se i kishte dërguar propozimin pranë presidencës së këshillit komunal dhe u përpoq t’i shpjegojë pikë për pikë arsyet teknike, praktike dhe juridike. “Në arsyetimin tim përpiqesha t’i shpjegoja, por nuk më la as mundësinë sepse ndërsa unë flisja, fliste njëkohësisht edhe ai. Në një moment të debatit i kërkova të ndalej një çast dhe të më ndiqte me tru e arsyetim. Synoja thjesht t’i kërkoja të llogjikonte me mua duke lënë mënjanë emocionet, për të vlerësuar bashkë nga ana teknike dhe praktike propozimin.”

Sipas saj, nga ai moment debati politik mori fund: “Vendin e debatit politik e zunë fyerjet, vulgaritetet dhe shprehje që nuk kanë absolutisht asgjë të bëjnë me politikën, e aq më tepër nga përfaqësues të institucioneve. Ka përdorur edhe shprehje vulgare. Me tone të larta dhe agresive më bërtiste që të kthehesha në Shqipëri, si dhe shprehje të tjera fyese ndaj origjinës sime.”

Ajo theksoi: “Idetë e mia mund të kundërshtohen e kritikohen, por origjina ime nuk mund të shndërrohet kurrë në fyerje. Për fat të mirë kam pasur shumë mbështetje nga kolegët këshilltarë dhe nga qytetarët që më kanë zgjedhur si përfaqësuese të tyre në Këshillin Bashkiak të Tarantos.” Shtoi se ajo që vazhdon të e vrasë shpirtërisht është se kolegu nuk kërkoi falje, as më ka ardhur telefonata e kryebashkiakut të Tarantos, dhe as Partia Demokratike nuk është shprehur akoma. Debati u bë i njohur në rrjetet sociale dhe u komentua gjerësisht.

Burim: Euronews Albania

— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #diaspora

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën