Berset: Referimet ndaj Kosovës në përputhje me Rezolutën 1244
Sekretari i Këshillit të Evropës vendos fusnotë për Kosovën në njoftimin për takimin me kryeministrin Kurti.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin të Irlandës. Në njoftimin e publikuar nga ky takim, Berset ka ritheksuar mbështetjen e organizatës për rrugëtimin evropian të vendit, duke përmendur praninë në terren, ekspertizën dhe standardet ligjore si instrumente të këtij angazhimi.
Gjatë këtij komunikimi, kreu i Këshillit të Evropës ka vlerësuar se ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor mbetet element thelbësor për sigurinë demokratike të kontinentit, ndërsa angazhimi i vazhdueshëm dhe dialogu vlerësohen kyç për ndërtimin e besimit rajonal. Në fund të njoftimit zyrtar, Berset ka sqaruar përdorimin e fusnotës: «Të gjitha referimet ndaj Kosovës, qoftë territorit, institucioneve apo popullsisë së saj, në këtë tekst duhet të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës.»