Berisha në Fier: Shqiptarët na votojnë kur të ripërtërihemi vetë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga Fieri se opozita duhet të hyjë në një proces të thellë ripërtëritjeje dhe modernizimi.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
FIER — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me demokratët dhe qytetarët në kuadër të «Ripërtëritjes» që po mbahet në Fier, ku ka theksuar nevojën për modernizimin e partisë dhe hapjen e saj ndaj vlerave të komunitetit e shoqërisë. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi domosdoshmërinë e rivitalizimit të strukturave dhe funksionimit të seksioneve, duke shtuar se Shqipëria kërkon dhe pret nga opozita që ta shpëtojë atë.
Sipas liderit të Partisë Demokratike, arritjet historike të së kaluarës nuk mjaftojnë për të fituar besimin e qytetarëve. Ai u shpreh se qytetarët nuk do ta votojnë opozitën vetëm pse ajo u ngrit si feniksi nga hiri, anëtarësoi Shqipërinë në NATO, përmbysi diktaturën komuniste, solli projektin TAP në vend apo transformoi infrastrukturën. Berisha nënvizoi se besimi politik fitohet përmes transformimit të brendshëm, ndërsa citohet të ketë deklaruar: «Shqiptarët do të na votojnë ne vetëm kur të arrijmë të ripërtërihemi vetë. Vetëm kur të paraqitemi para tyre si një forcë politike që ndjen, përjeton dhe angazhohet me një vizion për t’u dhënë përgjigjen më urgjente e më të fuqishme problemeve me të cilat përballet çdo qytetar.»
Kryetari i opozitës bërë gjithashtu një skanim të situatës sociale dhe ekonomike, duke lëshuar alarm për gjendjen në vend. Ai u shpreh se sirenat e mjerimit, të shkretimit dhe të boshatisjes bien në të katër anët e vendit, ndërsa ligjin dhe të drejtën kushtetuese e ka marrë në dorë krimi. Berisha akuzoi pushtetin se i trajton qytetarët si statistika dhe numra, ndërsa padrejtësitë dhe varfëria e tyre trajtohen si normale apo si paaftësi e tyre, duke shtuar se vendi po rrokulliset si asnjëherë tjetër në histori. Për të ndryshuar këtë trajektore, ai kërkoi nga demokratët që të mos pajtohen me të keqen dhe të punojnë për përpunimin e një programi të ri politik që u përgjigjet interesave jetike të qytetarëve shqiptarë.