BDI: Gjuha e Angellovit për 2001-ën nxit urrejtje dhe ndarje
BDI reagoi kundër deklaratës së Stojançe Angellovit për Nikushtakun, duke e cilësuar gjuhën si nxitëse urrejtjeje dhe ndarjeje.
BDI-së iu deshën pesë ditë që të reagojë kundër fjalorit të drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, i cili gjatë një vizite në Nikushtak të Kumanovës publikoi një video incizim me mbishkrimin “Në vitin 2001 e sulmuam me tanke, sot e mbrojmë me avionë”.
Në reagimin e tyre, nga BDI thanë se kjo është gjuhë që nxit urrejtje dhe ndarje dhe flet për mendësinë e Angellovit dhe të gjithë “Stojançeve” të tjerë që e shohin Marrëveshjen Paqësore të Ohrit si kërcënim, e jo si themel paqeje dhe bashkëjetese.
Angellovi, mbishkrimin për Nikushtakun e ka vendosur ndaj një videoje ku një banor shqiptar i zonës e falënderon për intervenimin, derisa Angellov ndodhet në terren. “Imer, si jeni të kënaqur nga puna e avionëve? Ne jemi të kënaqur edhe nga avionët edhe nga ju zotëri Stojançe. Shumë me cilësi e punoni këtë punë, e kryeni detyrën siç duhet”, thuhet në video.
Ndaj gjuhës së Angellovit kanë reaguar edhe qytetarët në komentet e faqes së tij, ku pjesa më e madhe e maqedonasve i replikojnë duke thënë se në vitin 2001 forcat shtetërore nuk e kanë sulmuar Nikushtakun, por e kanë mbrojtur vendin nga terroristët, ndërsa shqiptarët thonë se Nikushtaku është i populluar me shqiptarë dhe s’ka pasur shteti pse ta mbrojë nga shqiptarët.
Angellov ka qenë pjesë e forcave të sigurisë së Maqedonisë gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe është plagosur në betejën e Haraçinës. Me partinë e tij “Dinjiteti”, ai angazhohet për të drejtat e “Branitellave”.
Burimet: Almakos; Alsat-M; Zhurnal.mk; Shenja; Tetova Sot (klaster 5 outlets).