Avokati i Popullit: 214 të ndaluar dhe ankesa për dhunë policore
Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka paraqitur gjetjet paraprake nga protestat e fundit në vend.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjatë katër ditëve të fundit të protestave në disa qytete, ekipet e monitorimit kanë kontaktuar 214 persona të privuar nga liria. Avokati i Popullit ka bërë të ditur se janë regjistruar ankesa ndaj punonjësve të policisë për ushtrim dhune, mungesë të kujdesit mjekësor dhe shkelje të të drejtave të të miturve. Sipas të dhënave të paraqitura, në Spitalin e Traumës kanë marrë shërbim 128 persona, përfshirë punonjës policie, protestues dhe të mitur.
Gjatë inspektimeve në komisariate dhe në Bllokun e Sigurisë, autoritetet kanë konstatuar kushte të rënda që nuk i përmbushin standardet e duhura, përfshirë tejkalimin e kapaciteteve, mungesë ngrohjeje dhe probleme me ujin e pijshëm. Po ashtu, janë evidentuar raste të të miturve të ndaluar që janë marrë në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit, si dhe dëshmi për të mitur të mbajtur të izoluar, çështje të cilat po i nënshtrohen verifikimit të mëtejshëm.