Avokati i Popullit: Zyra në Hagë nuk e shuan mandatin tonë
Institucioni i Avokatit të Popullit i është kundërpërgjigjur Dhomave të Specializuara, duke deklaruar se ekzistenca e Zyrës në Hagë nuk e përjashton mandatin kushtetues.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës ka reaguar ndaj qëndrimit të Dhomave të Specializuara të bërë publik, pas refuzimit të ftesës për një tryezë diskutimi. Reagimi vjen pasi Specialja kishte arsyetuar mospjesëmarrjen me pretendimin se Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ka autoritet ekskluziv për monitorimin e të drejtave të njeriut. Në përgjigjen drejtuar kryetares Ekaterina Trendafilova, Avokati i Popullit ka theksuar se përgjegjësia ekskluzive dhe kompetenca ekskluzive janë koncepte të ndryshme juridike dhe nuk duhen barazuar.
Sipas sqarimit të lëshuar, ekzistenca e një zyre të caktuar nuk e zhbën mandatin kushtetues të institucionit kosovar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Qelaj ka shtuar gjithashtu se deri tani zyra në Hagë nuk e ka ushtruar në praktikë funksionin monitorues për t'iu përgjigjur shqetësimeve të personave që janë subjekt i procedurave gjyqësore, ndërsa të dy mekanizmat kanë mandate plotësuese.