Avokati Berisha kërkon hetim urgjent për provat në rastin Kuzhnini
Avokati Besnik R. Berisha i ka kërkuar Kryeprokurorit të Shtetit veprim urgjent institucional lidhur me një fotografi në dosjen e Gjon Kuzhninit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Mbrojtësi i Gjon Kuzhninit, avokati Besnik R. Berisha, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit ndërhyrje urgjente institucionale. Sipas tij, në dosjen penale është përfshirë një fotografi e paraqitur në kontekst të rremë, çka ngre pikëpyetje të thella për vlefshmërinë e provave dhe llogaridhënien institucionale.
Sipas pretendimeve të mbrojtjes, materiali fotografik në fjalë ishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren nga Halim Kerzi, i cili kishte deklaruar se ishte rrëmbyer në Kosovë dhe se foton e kishte siguruar përmes platformës Facebook. Berisha njofton se verifikimet kanë treguar se e njëjta dëshmi pamore ka qenë e publikuar në mediat serbe që nga 15 qershori i vitit 2022, në kuadër të shkrimeve për vrasjen e Goran Mihajloviqit dhe veprimtarinë e grupit të Veljko Belivukut.
Gjithashtu, sipas avokatit, i njëjti material ishte përcjellë edhe tek gjyqtarja përgjegjëse e çështjes përmes aplikacionit WhatsApp. Berisha ka theksuar se nuk ekziston ndonjë pretendim për ndikim apo parregullsi nga ana e gjyqtares, por ka kërkuar sqarim të plotë të identitetit dhe statusit të Halim Kerzit.