Arifi: Nuk kam bërë asnjë gabim me tendencë
Ish-kryetarja e Tetovës deklarohet e pafajshme në procesin gjyqësor për kontratat në vepër dhe buxhetin e dëmtuar.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish-kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mjeteve publike. Pas seancës, Arifi është deklaruar e pafajshme dhe ka kritikuar mënyrën e trajtimit të qytetarëve të angazhuar më parë me kontrata në vepër. «Është kallëzim penal nga ana e kreut aktual të komunës dhe ishit brenda, i dëgjuat dëshmitarët që treguan se kanë shkuar, kanë qenë në vend të punës dhe është e ulët, e turpshme që qytetarët e këtij qyteti që kanë bërë një punë, cila qoftë ajo, t’i marrin dhe t’i tërheqin gjyqeve për t’iu marrë deklarata nëpër gjykata», tha Teuta Arifi.
Sipas aktakuzës, Arifi dyshohet se ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Tetovës për rreth një milion euro përmes lidhjes së 546 kontratave në vepër, ndërsa prokuroria pretendon se për 268 persona nuk ka pasur raporte për punën e kryer, kurse për 248 të tjerë ka pasur raporte të tilla. Në seancën gjyqësore dëshmuan katër persona të angazhuar më parë me kontrata në vepër në sektorë të ndryshëm të komunës, si dhe tre revizorë të brendshëm.
Duke theksuar se nuk ka vepruar me qëllim të keq gjatë mandatit të saj, Arifi u shpreh se ka synuar të jetë në shërbim dhe ndihmesë të qytetarëve. «Nuk është problem, unë nuk kam bërë asnjë gabim me tendencë. Kam tentuar gjithnjë të jem ndihmesë e qytetarit tim. Do ta ndiqni procesin dhe besoj se autoritetet gjyqësore do të kenë integritetin të vendosin si duhet për çdo qytetar të këtij shteti», deklaroi ajo.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar