Çfarë thotë Arifi për rritjen e AAK-së pas largimit të Haradinajt?

A e dëmtoi vërtet partinë largimi i themeluesit nga kryesia, siç kishin frikë disa?

Çfarë thotë Arifi për rritjen e AAK-së pas largimit të Haradinajt?
Foto: Pixabay

PRISHTINË — Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka vlerësuar se partia ka shënuar rritje në zgjedhjet e 7 qershorit, pavarësisht sfidave dhe pritjeve të elektoratit. Ai foli në emisionin "Këndi i Debatit" në Tëvë1.

Arifi pranoi se partia nuk kishte mundur ta parashikonte saktësisht nivelin e rritjes. "Ne nuk kemi mundur ta kuantifikojmë se sa do të ishte ajo rritje për shumë arsye", tha ai, duke shtuar se "vetëm gjashtë muaj më parë i kishim pasur zgjedhjet dhe pritjet e njerëzve se do të ndodhte ndonjë revolucion kanë qenë të mirëseardhura. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur, edhe pse unë them se ka ndodhur një lëvizje".

Ai e lidhi këtë "lëvizje" me votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. "LVV-ja tash nuk i ka 51 për qind, por 46 për qind. Janë ende shumë, por kemi të bëjmë me një lëvizje populiste dhe lëvizjet populiste nuk bien aq lehtë", deklaroi Arifi.

Arifi foli edhe për ndryshimet pas largimit të Ramush Haradinajt nga drejtimi i partisë. Ai tha se kishte pasur frikë se ndërrimi i liderit do të ndikonte negativisht, sepse "në vendet e Ballkanit, kur ndërrohet lideri, shumë parti politike kanë pësuar rënie". Ai theksoi se "Aleanca ka qenë një parti lideriste dhe ka ekzistuar një drojë se me largimin e Ramushit, një pjesë militante e Aleancës nuk do të angazhohej më".

Sipas tij, angazhimi i vazhdueshëm i Haradinajt dhe ndryshimi i qasjes nga kryetari i ri Ardian Gjini kanë ndikuar pozitivisht. "Falë angazhimit të Ramushit dhe strukturave të partisë, votuesi i Aleancës e ka parë se është e njëjta parti dhe se nuk ka ndryshuar. Ndërkohë, ndryshimi i qasjes nga Ardian Gjini ka dhënë një frymë të re në komunikimin e Aleancës me qytetarët", u shpreh ai.

Arifi theksoi se rezultatet në Prishtinë janë "inkurajuese". Në kryeqytet, AAK ka kaluar nga rreth 2.900 vota në zgjedhjet e kaluara në rreth 3.900 vota tash — rritje prej rreth 1.000 votash. "Kjo është shumë për Aleancën", u shpreh ai, duke shtuar se "kemi një strukturë të re dhe mjaft të suksesshme".

Arifi përfundoi se Prishtina "mund të jetë një prej vendeve ku Aleanca mund të rritet shumë në të ardhmen", duke iu referuar strukturës së re të partisë.

Burim: Lajmi.net
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. KQZ-ja mbyll votat e diasporës, çfarë ndryshon me 8.751 vota me kusht?
  2. KQZ: Numërimi i votave me postë përfundon të mërkurën
  3. ZKA gjen shkelje në miliona euro prokurime të Ministrisë së Mbrojtjes
  4. Si zgjidhet vjedhja e energjisë me ndërmjetësim në Prishtinë?

Vazhdo leximin